Telegrafi

Kurti: Nuk kemi nevojë për Asociacion që shton tensionet, serbët në Kosovë kanë nevojë për drejtësi dhe punësim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar edhe një herë se janë të gatshëm për dialog me Serbinë, por që dialogu duhet të jetë për njohje reciproke.

Kurti para mediave deklaroi se kur do që të thirren nga BE për vazhdimin e dialogut, ata janë të gatshëm për bisedime, transmeton Telegrafi.

“Jemi të gatshëm për bisedime, për dialog parimor. Dialogun e duam për marrëveshje reciproke”, theksoi ai.

Kurse, sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kurti tha se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese ka thënë se asnjëri nga kapituj e Asociacionit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, rrjedhimisht nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetues. Edhe serbët në Kosovë po si shqiptarët, turqit, romët, kanë nevojë për drejtësi, dhe për punësim e jo pë Asociacion që  na shtojnë tensionet, na prishin raportet tona, dhe e gëzojnë dikë në Beograd. Pra Qeveria është përkushtuar që kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në gjithë vendin të jetë e respektuar dhe e zbatuar në mënyrë të plotë. Dhe për të gjitha kërkesat e serbëve në Kosovë unë jam kryeministër edhe i tyre”, tha mes tjerash kryeministri Kurti. /Telegrafi/