Telegrafi

Kurti: Nuk harrojmë se prej nga vijmë, ato shtëpitë e kthyera në shkolla gjatë kohës së okupimit

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se në rrugën “Shkolla e Herticëve” në Prishtinë ndodhet shtëpia e djegur në mars të vitit 1999, e kthyer në muze, por që  sipas tij, nuk mirëmbahet siç e meriton.

Kurti ka pohuar se rezistenca e viteve të ’90-ta e kishte arsimin në ballë.

“Asokohe mësohej me shumë ankth të përditshëm nga ndërhyrjet e policisë serbe. Na priti Baca Mehmet Aliu dhe ish Drejtori Avdyl Gashi, të cilët evokuan kujtimet nga ajo kohë e vullnetarizimit dhe qëndresës. Me Presidenten Vjosa Osmani dhe kandidatë për deputetë të listës sonë të përbashkët ua uruam Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti ka thënë se Qeveria e tij do të angazhohet për arsim më të mirë.

“Qeveria jonë do të angazhohet për arsim të mirë, për ta bërë shkollën e këndshme porsi shtëpinë, teksa nuk harrojmë se prej nga vijmë: ato shtëpitë e kthyera në shkolla gjatë kohës së okupimit”, thotë mes tjerash Kurti. /Telegrafi/