Site icon Telegrafi

Kurti me një sërë takimesh në ditën e parë të ‘Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së’ në New York

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur pjesëmarrjen e tij në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, duke zhvilluar një sërë takimesh me liderë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Në ditën e parë, Kurti priti Kryeministrin e Lihtenshtajnit, Daniel Risch, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York.

Gjatë takimit të tyre të parë, Kurti falënderoi Lihtenshtajnin për mbështetjen e vazhdueshme në proceset integruese të Kosovës dhe u diskutua mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Gjithashtu, Kryeministri Kurti zhvilloi një takim me homologun e tij nga Islanda, Bjarni Benediktsson, me të cilin bisedoi për arritjen e marrëveshjeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), përfshirë Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Në një tjetër takim, Kurti u takua me Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva. Ata diskutuan për progresin ekonomik të Kosovës, për zbatimin e programeve të përbashkëta me FMN-në dhe për reformat ekonomike që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe sektorit të energjisë, si dhe për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime.

Georgieva përgëzoi Kosovën për qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e suksesshëm të borxhit publik, duke e vlerësuar vendin si një shembull pozitiv.

Ndërkohë, në cilësinë e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti mori pjesë në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, ku theksoi rëndësinë e vlerave socialdemokrate si solidariteti, barazia dhe prosperiteti i përbashkët në përballimin e sfidave globale.

Takimi u kryesua nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez./Telegrafi/

Exit mobile version