Telegrafi

Kurti: Një e mitur që sot do të duhej të ishte në shkollë ndodhet në strehimore, e kjo shkaku i një krimi

Policia e Kosovës ka shënuar sot 23 vjetorin e themelimit të saj.

Në këtë ceremoni morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kreu i MPB-së, Xhelal Sveçla dhe diplomatë të huaj.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Albin Kurti tha se zyrtari policor në çdo ditë të punës e ka detyrën e profesionit më fisnik atë të mbrojtjes së qytetarëve.

Kurti përmendi edhe rastin e 11 vjeçares e cila dyshohet se është dhunuar nga disa persona gjatë muajit qershor dhe gusht.

Ai përpara pjesëmarrësve tha se vajza që do të duhej të ishte në bankat shkollore në klasën e pestë ose të gjashtë, ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga dhunuesit.

“Javën që shkoi ne u ballafaquam me një rast shumë të rëndë ku një vajzë e mitur qe sot do të duhej të ishte në bankat shkollore ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga 5 dhunues. Prandaj nga ju pritet të jeni në nivel të sigurisë në çdo cep e kudo. Trasoni rrugët lehtësisht të kalueshme për të gjithë. Për këtë kohë sa bashkëpunojmë jeni dëshmitarë se jeni të pa kompromis ndaj krimit nuk jeni ndal ndonëse nga bandat e ndryshme janë drejtuar armët dhe janë shkrepur plumbat”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/