Telegrafi

Kurti: Nisja e bombardimeve të NATO-s shënon agimin e çlirimit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar ndërhyrjen e Aleancës Veri-Atlantike ndaj regjimit gjakatar të Sllobodan Millosheviqit 22 vjet më parë, në kohën kur Beogradi zyrtar kishte nisur dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.

Në një postim në Facebook thuhet se fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe shënon agimin e çlirimit të Kosovës.

“Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë. Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë..”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë:

Sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb.

Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Millosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 vjetësh, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës.

Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë.

Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë. /Telegrafi/