Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrat Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla, dhe zyrtarë të tjerë ishim për ngushëllime tek familja Fejzullahu në Podujevë.
Këtë e bëri të ditur kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili theksoi se u kanë shprehur mbështetje të plotë për tejkalimin e kësaj dhimbjeje.
“Bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ministrat Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sfeçla, deputetin Fitim Haziri, veprimtarin dhe ish-kryetarin e Komunës Ilaz Pireva, drejtorë komunal dhe zyrtarë të tjerë ishim për ngushëllime tek familja Fejzullahu për humbjen e familjarit të tyre Lulzimit, pak ditë më parë në vrasjen mizore që e tronditi gjithë shoqërinë”.
“Ndamë dhimbjen me familjen dhe të afërmit, si dhe ju shprehëm mbështetjen tonë të plotë për tejkalimin e kësaj dhimbjeje që na pikëlloi thellësisht të gjithëve”.
“Zoti ju dhashtë durim e forcë familjes! Urojmë që drejtësia ta thotë fjalën e saj në mënyrë meritore”, shkroi Bulliqi.
Lulzim Fejzullahu, 18-vjeçar nga Podujeva, ishte viktimë e një akti të dhunshëm që dyshohet se i ka marrë jetën.
Incidenti i rëndë ka ndodhur ku Fejzullahu fillimisht u përplas nga një automjet dhe më pas u sulmua fizikisht nga dy persona të tij bashkëmoshatarë, duke pësuar plagë të rënda si rezultat i goditjeve me një objekt të fortë.
Pamjet e incidentit, të cilat u ndanë gjerësisht në mediat sociale dhe në kanale të lajmeve, kanë shokuar publikun dhe kanë ngjallur indinjatë të madhe.
Si pasojë e kësaj tragjedie, dy të rinj janë arrestuar dhe aktualisht ndodhen në masën e paraburgimit, ndërsa hetime të mëtejshme janë në vazhdim për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të tmerrshme./Telegrafi/