Site icon Telegrafi

Kurti ngushëllon familjen e aktorit Koço Devole

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët dhe adhuruesit e artit të tij, me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit të njohur të humorit shqiptar Koço Devole.

Ai me këtë rast ka thënë se humori i Koço Devoles ishte i punuar me kujdes dhe gjuhë popullore, por që asnjëherë nuk binte pre e klisheve bajate apo imitimit banal.

“Rrallë merrej ai me individë, sepse kishte aftësinë të karikaturizonte fenomenin, pa u bërë megjithatë skolastik apo skematik. Të tillë autorë të humorit, gjithnjë janë të rrallë, dhe shpresoj të jetë frymëzim për humoristët e gjeneratave të reja”, shkruan Kurti në Facebook.

75-vjeçari Devole ndodhej prej disa ditësh në spital për shkak të virusit vdekjeprurës, por gjendja e tij u përkeqësua.

Ai konsiderohet një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor, Devole ishte karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Ai njihet për rolet e tij në telefilmat humoristik “Çanta e zezë”,“Çanta me një million”, “Pushime në Romë” etj. Prej vitesh ai punoi edhe në emisionin satirik “Fiks Fare”.

Postimi i plotë:

Mësova me dhimbje lajmin e vdekjes së aktorit e autorit të humorit shqiptar, Koço Devoles, i cili prej disa ditësh ishte i shtruar në spital në Tiranë, me simptoma të rënduara të COVID-19. Devole, beratas me origjinë, pjesëtar i një brezi të talentuar, e zhvilloi humorin e tij në kushte të shtetit të kudondodhur, gjatë diktaturës, dhe e vazhdoi atë në kushte të shtetit të larguar në drejtime të panjohura, gjatë demokracisë. Pra, humori i tij ndërtohet pikërisht në humnerën që gjendet mes dëshirës së njerëzve për normalitet, parashikueshmëri, jetë të mirë, drejtësi e liri, dhe dështimit të plotë të asaj dëshire prej dy ekstremeve politike ku ka kaluar Shqipëria, katër dekada stalinizëm dhe tre dekada neoliberalizëm.

Humori i Koço Devoles ishte një humor i thellë e i punuar me kujdes. Edhe pse shpesh i thënë me gjuhë popullore, ai nuk binte pre e formulave kopjuese, klisheve bajate, apo imitimit banal. Rrallë merrej ai me individë, sepse kishte aftësinë të karikaturizonte fenomenin, pa u bërë megjithatë skolastik apo skematik. Të tillë autorë të humorit, gjithnjë janë të rrallë, dhe shpresoj të jetë frymëzim për humoristët e gjeneratave të reja. Ngushëlloj familjarët e Koço Devoles dhe gjithë adhuruesit e artit të tij.

Exit mobile version