Telegrafi

Kurti në veri: E ardhmja e vendit tonë është e drejtë dhe përgjegjësi e të gjithëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar katër komunat veriore me shumicë serbe.

Në platformën “X”, ai ka thënë se e ardhmja e vendit është e drejtë dhe përgjegjësi e të gjithëve.

Kurti ka shtuar se së bashku do të punohet për një të nesërme të ndritshme.

“Sot vizitova katër komunat veriore me shumicë serbe, përfshirë vendin ku u vra polici ynë Afrim Bunjaku nga forcat paramilitare serbe shtatorin e kaluar. E ardhmja e vendit tonë është e drejtë dhe përgjegjësi e të gjithëve dhe së bashku do të punojmë për një të nesërme të ndritshme”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se kanë nisur zbatimin e urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Ministria e Drejtësisë, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ka nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme.

Vila e Milan Radoiçiqit, e cila pas sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë është bastisur nga policia e Kosovës, ka ngritur pyetjen për ligjshmërinë e pasurisë së ish-nënkryetarit të Listës Serbe./Telegrafi/