Site icon Telegrafi

Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it, diskutohet për rregulloren e BQK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke zhvilluar takim në ndërtesën e Qeverisë, me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Telegrafi mëson se ky takim po ndodh me ftesë të kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë takimit është diskutuar rreth zhvillimeve aktuale me theks te rregullorja e Bankës Qendrore.

Ambasadori Jeff Hovenier ka paralajmëruar se do të mbajë konferencë pas përfundimit të këtij takimi.

Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian e ambasadat e QUINT-it në Kosovë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë Rregullore, duke thënë se kjo do të ketë ndikim tek serbët lokalë që marrin përkrahje financiare nga Serbia.

Lexo po ashtu Shqetësimet e ndërkombëtarëve për ndalimin e dinarit serb, BQK del me 20 sqarime për Rregulloren e re

Ata kanë kërkuar që të shtyhet një vendim i tillë dhe të gjendet një zgjidhje praktike në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka dhënë 20 sqarime në lidhje me Rregulloren e re që hyri në fuqi më 1 shkurt, dhe e cila parasheh përdorimin e euros për pagesat me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, që përdoret nga serbët që jetojnë në Kosovë.

BQK ka sqaruar se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës mund të pranojnë ndihmat e tyre financiare, pensionet apo pagat nga Serbia në llogaritë e tyre bankare në euro përmes bankave që operojnë në Kosovë e që janë të licencuara nga BQK-ja.

BQK ka thënë se pasi t’i pranojnë këto të ardhura në euro, secilit qytetar që mund t’i nevojiten në dinarë atëherë mund t’i kthejë ato në këmbimore të licencuar. /Telegrafi/

Exit mobile version