Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen e fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.
Aty, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se këtë vit i presin vendime të mëdha, përmes së cilave do të rimëkëmbin ekonominë dhe do të nxisin punësimin.
Kurti tha se Vetëm me një muaj qeverisje, kanë marrë vendime të rëndësishme, ku siç tha ai kanë ndaluar abuzimin me paranë publike, duke zvogëluar pushtetin dhe privilegjet, dhe duke ndaluar kontratat e dëmshme. Ai tha se po e ndalin keqmenaxhimin në ndërmarrje publike përmes bordeve të tyre politike.
“Ky është vetëm fillimi, sepse shumë vendime e veprime të tjera na presin këtë vit, të cilat do të rimëkëmbin ekonominë dhe do të nxisin punësimin. Natyrisht që këto veprime e vendime i kemi marrë e do t’i marrim në bashkëpunim e bashkëqeverisje me LDK-në. Unë sot këtu jam në një rol tjetër, ndryshe nga viti i kaluar, unë tash jam edhe kryeministër i vendit dhe jo vetëm kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë ka diçka të përbashkët e të njëjtë, ashtu sikur vitin e kaluar që kemi kërkuar ndryshim në drejtimin e Qeverisë, sot po kërkojmë ndryshim në drejtimin e Komunës e Besianës”, tha Kurti, transmeton KP.
Ai bëri thirrje të votohet Shpejtim Bulliqi për kryetar të Podujevës, për të cilin tha është njëri i ndershëm e qytetar i devotshëm.
“Shpejtim Bulliqi nuk i lëshon pe asaj që është e mbrapsht dhe e padrejtë. Ky është një shkencëtar i cili e mbron vendin tonë, i cili e mbron shtetin tonë. Andaj unë preferoj të flas për Shpejtim Bulliqin, për të cilin kam vlerësim të lartë dhe nuk jam këtu për të treguar kënd të mos e votoni, por për t’ju kërkuar të votoni profesor Shpejtim Bulliqin”, tha ai.
Ai tha se ka kohë që Besiana ka kërkuar ndryshim, e tani me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Shpejtim Bulliqin ndryshimi është i mundur.
E kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, tha se gjendja e përgjithshme në këtë komunë nuk është e mirë në të gjitha aspektet, por që sipas tij, ajo do të ndryshojë pas 15 marsit.
“Komuna është e të gjithëve, pa dallim, ajo nuk diskriminon, çdo diskriminim që qytetarët e përjetojnë çdo ditë nga kjo qeverisje lokale, do të marrë fund me datën 15 mars. Lëvizja Vetëvendosje si subjekt social alternativen e saj qeverisëse e ndërton në tre shtylla themelore: shtetin zhvillimor, shtetin social dhe shtetin e së drejtës”, tha ai.
Ai ka prezantuar programin qeverisës, dhe u zotua se do ta realizojë atë për mandatin dyvjeçar. Ai tha se programi qeverisës ofron politika dhe masa konkrete për të gjitha fushat.
Bulliqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje angazhohet për një administratë lokale të fuqishme dhe reformim rrënjësor të administratës në ketë komunë. Ai tha se do të ketë administratë publike profesionale, të paanshme, e të përgjegjshme me kod etik që respekton procedura dhe ligj.
Bulliqi tha se qytetarët do të njoftohem për të gjitha shpenzimet e komunës dhe se do të bëhet publikimi i të gjitha vendimeve, në ueb-faqen e Komunës.
“Rekrutimi i personelit arsimor bazuar në vlera profesionale, e jo në baza partiake e politike, siç ka ndodhur deri sot. Në shkollat tona do të punësohen me merita ata që i plotësojnë kushtet, me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim”, tha Bulliqi.
Ai tha se do të ndahen 1.5 milionë euro për rinovimin e shkollave në Komunën e Podujevës. Ndërkohë deklaroi se do të bëhet dyfishimi i fondeve për ndarje të bursave për studentë, ku tha se 59 mijë euro do të ndahen qysh në vitin e parë për këto nevoja. Ai tha se do të ngritët edhe një çerdhe në këtë komunë.
Ai shtoi se do të ketë ndihmë buxhetore për kreditimin e bizneseve prodhuese, ku tha se do të krijohet një fond prej 500 mijë euro në vit. Gjithashtu tha se do të krijohet zona ekonomike. Ai tha se nga data 15, bizneset do të lirohen nga tatimi dhe shtoi se me qeverisjen e tij do të ketë shërbime shëndetësore cilësore, pa pritje të gjata më qendër të mjekësisë familjare. Ndërkohë shtoi se do të funksionalizojnë spitalin e qytetit.
Bulliqi foli edhe për investime në urbanizëm dhe ambient, derisa shtoi se do të rregullojnë edhe ndriçimin publik në të gjitha fshatrat.
Aty foli edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, e cila tha se në këtë komunë i ësh të dhënë prioritet shëndetësisë e arsimit, vetëm kur kanë qenë në pyetje tenderët.
Më 15 mars qytetarët e Komunës së Podujevës do t’u drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri. Në garë janë vetëm tre kandidatë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpetim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Zgjedhjet në këtë komunë erdhën pasi Agim Veliu dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Komunës së Podujevës, për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar në postin e ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike./Telegrafi/