Site icon Telegrafi

Kurti në Podujevë: Më 9 shkurt vendoset gjykimi popullor për të ardhmen e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje të martën ka mbajtur tubim zgjedhor në Komunën e Podujevës, ku shumë simpatizantë të kësaj partie ishin mbledhur në sheshin e këtij qyteti për të dëgjuar programin e kësaj partie.

Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti iu drejtua qytetarëve të Podujevës duke thënë se kësaj radhe do të thyhet përsëri rekordi i votimit të Lëvizjes Vetëvendosje me 9 shkurt, duke theksuar se katër ditët e mbetura janë vendimtare për më shumë se vetëm katër vitet e ardhshme, sepse me 9 shkurt vendoset gjykimi popullor për rrugën e drejtë, të mirë e të mbarë që kemi ndjekur deri tani dhe po ashtu na jepet leja demokratike për katër vitet e ardhshme për edhe më shumë punë të mira e të mbara për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës cep më cep shoqërisë e territorit tonë.

Kurti u zotua për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimin e dronëve ushtarak “Made in Kosova”. Zotim tjetër pati edhe ndërtimin e Poliklinikës Specialistike, Pishinës Gjysmëolimpike dhe Digës së Pollatës.

Kurti premtoi se deri në pranverë do të përfundoj rruga Prishtinë-Podujevë, dhe gjithashtu premtoi edhe 100 euro shtesë mbi pensionin bazik për gjyshet dhe gjyshërit që kujdesen për nipat dhe mbesat e tyre kur prindërit punojnë. /Telegrafi/

Exit mobile version