Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ngrirjes së pozitave të zyrtarëve dhe gjyqtarëve serbë në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me suspendimin nga puna të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq.
Kurti, përmes një postimi në Twitter, tha se as nuk është kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, teksa shtoi se gjyqësori në vend është i pavarur nga qeveria.
“Unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo nuk ndodh në Kosovë ose me gjyqtaren Stevanoviq. Ne jemi shteti më demokratik nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, plotësisht të lidhur me BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.
I'm neither chairman nor member of 🇽🇰Judicial Council. Judiciary is independent from Govt. Maybe in Serbia the president suspends & removes judges & prosecutors. That's not the case in 🇽🇰 or w/ Judge Stevanovic. We're the most democratic country in WB6, fully aligned w/🇪🇺 & NATO.
— Albin Kurti (@albinkurti) March 25, 2022
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të enjten mori vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës. Suspendimi i gjykatëses Stevanoviq erdhi pas pjesëmarrjes së saj në takim në Këshillin e Sigurisë Nacionale të Serbisë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha sot se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Protestat në veri të Mitrovicës dhe në Graçanicë kanë kaluar qetë dhe pa incidente.
Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kishin shprehur shqetësimepër rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e së premtes.
Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve. /Telegrafi/