Site icon Telegrafi

Kurti në Liverpool: Serbia si aleate e Rusisë, tentoi të kopjojë skenarin e Donbasit

Në kuadër të Konferencës së Partisë Laburiste që po mbahet në Liverpool, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në drekën e organizuar me partitë simotra, ishte i ftuar si folës kryesor.

Ai u shpreh i nderuar për mundësinë që t’i drejtohet me një fjalim pjesëmarrësve në konferencë.

Ndikimi i Partisë Laburiste në fatin e Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe i madh, deklaroi kryeministri në krye të herës.

Dy prej momenteve më të rëndësishme në historinë e vonshme të Kosovës janë vitet 1999 dhe 2008, çlirimi përkatësisht, pavarësia, gjatë të cilave, Partia Laburiste ishte në pushtet në Mbretërinë e Bashkuar.

“Në vitin 1999, nën udhëheqjen e Tony Blair, Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndaluar vazhdimin e fushatës gjenocidale nga forcat serbe… pastaj në shkurt të vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Mbretëria e Bashkuar, me Gordon Brown si kryeministër, ishte një nga vendet e para që njohën shtetësinë e Kosovës”, deklaroni kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Teksa shpalosi sukseset e Republikës së Kosovës dhe arritjet e deritanishme të qeverisjes, kryeministri Kurti theksoi se edhe pse shtet për një kohë jo shumë të gjatë, Kosova po dëshmon se intervenimi i NATO-s dhe një shtet i sapoformuar mund t’i japin jetë një demokracie të plotë.

Ai foli për qeverisjen social-demokrate në Kosovë, reformat e ndërmarra, politikat sociale, të punësimit, energjetike si dhe ato në arsim, fushat prioritare të qeverisë sipas buxhetit të këtij viti, indikatorët ekonomikë dhe progresin demokratik të evidentuar në raportet ndërkombëtare. Fatkeqësisht momentumi i arritjeve dhe përparimit është duke u sfiduar në vazhdimësi nga Serbia, tha ai.

Duke folur për sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, kryeministri Kurti u shpreh se Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut.

“Rritja e pranisë ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës u përshkrua si e paprecedentë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, kurse pamjet e sekuestruara nga dronët që ishin në posedim të grupit terrorist zbuluan se trupat paramilitare ishin trajnuar në bazat zyrtare të ushtrisë serbe, duke dëshmuar kështu në mënyrë të pakundërshtueshme përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në planifikim të sulmit që u krye dy javë më parë në Banjskë, me 24 shtator”.

Megjithatë, kryeministri theksoi se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës, sikurse as paqja dhe siguria e Evropës nuk mund të mbahen peng nga Serbia, dhe se perspektiva për paqe, drejtësi, dhe prosperitet në një kohë me plotë sfida varet nga ajo çka zgjedhim të bëjmë dhe si zgjedhim të veprojmë së bashku.

Para fillimit të drekës së punës, kryeministri Kurti mori pjesë në mikpritjen e organizuar për mysafirët ndërkombëtarë nga Sekretari nën hije për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Laburiste, David Evans.

Aty u përshëndet ngrohtësisht dhe u takua me Sekretarin nën hije për Punë të Jashtme, David Lammy dhe Sekretarin nën hije të Mbrojtës, John Healey. Në ato margjina, takoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Partisë Evropiane të Socialistëve (PES), Giacomo Fillibeck.

Ndërkaq, mbrëmë, në ditën e parë të tij në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati një fjalim mbi temën “Sfida globale, zgjidhje kolektive”.

Para të pranishmëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi, Sekretari Nën Hije i Mbretërisë së Bashkuar për Ndryshime Klimatike, Edward Miliband, deputetë nga Ukraina dhe përfaqësues të partisë social-demokrate të Afrikës së Jugut, Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC), në adresimin e tij, kryeministri Kurti veçoi dy sfida globale të ditëve tona; Autokratët dhe kërcënimi që ata paraqesin për sigurinë dhe kriza klimatike dhe ndikimi i saj në jetën dhe mirëqenien e njerëzve në mbarë botën.

Në lidhje me rrezikun nga autokratët, të udhëhequr nga politika hegjemoniste dhe ekspansioniste, ai tha se ata nuk i njohin shtetet fqinje, dhe se nga ato kërkojnë ose që të bëhen marionetë të tyre ose të marrin pjesë të territorit të tyre. Andaj, është e nevojshme që të krijojmë solidaritet global kundër autokratëve dhe të mbrojmë demokracinë, dhe për këtë qëllim, kryeministri veçoi tri kategori shoqërore me rol dhe potencial të veçantë dhe që përbëjnë shumicën e shoqërisë: punëtorët, studentët dhe gratë.

Ndërkaq, për sa i takon krizës klimatike, ai tha se edhe Kosova së fundmi ka përjetuar thatësira, vërshime dhe zjarre më shumë e më shpesh se ndonjëherë më parë.

Duke qenë realitet dhe brengë e përbashkët, kryeministri Kurti bëri thirrje që të bëhemi bashkë në zbatimin dhe respektimin e Protokollit të Kyotos, Marrëveshjes së Parisit dhe Deklaratës së Sofjes, teksa nënvizoi se Kosova është angazhuar veçanërisht në rritjen e kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe efiçiencës së energjisë./Telegrafi/

Exit mobile version