Lëvizja Vetëvendosje në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore ka mbajtur tubim në Kamenicë.
Gjatë këtij tubimi, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se ka ardhur dita e shtetit që lufton krimin e organizuar dhe ku qytetarët e pushtetarët janë të barabartë para ligjit.
Në tubim folën edhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë.
Kandidati Bajram Mavriqi bëri thirrje për ta bërë ndryshimin e madh.
“Ata duan që ne ta braktisim Kosovën e Dardanën, mirëpo ne u përgjigjemi atyre: shpirti nuk shitet dhe atdheu nuk braktiset” tha Kryetari i Qendrës Mavriqi.
Ndërsa kandidatja tjetër nga Dardana, Arta Barajlia, foli për të drejtat e grave.
“Asnjë shoqëri në botë nuk është zhvilluar pa angazhimin e gruas në politikë dhe kjo është e vetmja rrugë për barazi. Rritja e punësimit dhe mbrojtja e punëtorit është edhe mbrojtje e avancim i pozitës së grave, të cilat e vuajnë më së shumti shfrytëzimin e papunësisë dhe të punës”, ka thënë Bajralia.
Në fjalën e radhës kandidati Ilir Kërçeli tha se Kamenica është lënë pas dore për 20 vite pa ujë të pijshëm e me rininë që po e braktis vendlindjen, por prej 6 tetorit situata ndërron Kamenicës do i kthehet uji dhe rinia e saj./Telegrafi/