Site icon Telegrafi

Kurti: Mirënjohës për rolin e SHBA-së për arritjet tona

Foto: Arkiv

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka uruar popullin amerikan për nder të 244 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Kurti përmes  një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se barazia dhe të drejtat e njeriut e kanë burimin nga populli amerikan.

Kurti shprehu mirënjohje ndaj SHBA-ve, për rolin e pazëvendësueshëm në arritjet e Kosovës.

“Urime 4 Korrikun! Para 244 vitesh u shpall pavarësia e ShBA-ve nga Anglia perandorake. U bashkuan 13 koloni për t’u çliruar duke shënuar në histori kalimin nga monarkia e sundimi në republikë dhe demokraci. Barazia dhe të drejtat e njeriut siç i mendojmë sot e kanë burimin nga ajo kohë që nuk rreshti së frymëzuari popuj e lëvizje anembanë globit për liri e drejtësi. Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve është pararendëse e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Revolucioni amerikan është pararendës i anti-kolonializmit në botë. Mirënjohës e falenderues për rolin e pazëvendësueshëm në arritjet tona, shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar i bashkohen sot festës së popullit dhe institucioneve të ShBA-ve”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version