Site icon Telegrafi

Kurti: Mirënjohës ndaj Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori dje pjesë në pritjen e organizuar me rastin e 32-vjetorit të shënimit të Pavarësisë së Republikës së Sllovenisë.

Kurti, u shpreh se është një nder i veçantë dhe një kënaqësi e madhe të jenë së bashku sot në 32- vjetorin e Republikës së Sllovenisë.

Ai theksoi se të dy vendet tona kanë ndarë mësime të ngjashme nga historia dhe njerëzit tanë kanë mbajtur afërsi për të siguruar që ne të marrim mësimet më të mira si nga sprovat, ashtu edhe nga fitoret tona.

“Sllovenia ka qenë një model frymëzues për t’u ndjekur në shumë aspekte. 25 qershori 1991 dhe shpallja e Sllovenisë si Republikë e pavarur na ka shërbyer si udhërrëfyes për atë se si duket rezistenca ndaj hegjemonisë dhe ndjekja e demokracisë”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Kurti, tha se është mirënjohës ndaj Qeverisë së Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme, me qëllimin kryesor që Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhen sa më shpejtë pjesë e BE-së.

Ai shprehu mirënjohje dhe falënderim për Kryeministrin e Sllovenisë, Golob, për mbështetjen e tij e cila si e tillë përfshinë avancimin e marrëdhënieve në sektorin e sigurisë përmes akreditimit të atasheut tonë të mbrojtjes në Lubjanë, si dhe mundësive ekonomike për sipërmarrësit dhe bizneset nga të dy vendet.

Vlen të theksohet se këtë vit, lidhjet mes dy vendeve, pra Kosovës dhe Sllovenisë, janë thelluar me rivendosjen e linjës direkte Prishtinë-Ljubljanë.

Ndër të tjera kryeministri Kurti, potencoi se presim me padurim këtë lehtësi në udhëtime, e cila do të lehtësojë avancimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit ku një rol të rëndësishëm luajnë kompanitë sllovene nga sektori i telekomunikacionit, ai banker dhe i sigurimeve.

Kurti, gjithashtu falënderoi edhe diasporën tonë në Slloveni, të cilët janë një pjesë shumë e rëndësishme e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

Fjalën e tij, ai e përmbylli duke i’u uruar festën kombëtare të Republikës së Sllovenisë dhe duke besuar në thellimin dhe përkushtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore si dhe lidhjeve miqësore, ndërmjet dy popujve tanë. /Telegrafi/

Exit mobile version