Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbledhur kryesinë e partisë, të dielën.
Përmes një njoftimi në Facebook LVV ka treguar disa nga pikat që janë diskutuar në mbledhjen e Kryesisë dhe mbledhjen me Qendra të LVV-së.
“Në takimin me qendra ku të pranishëm ishin të gjithë përfaqësuesit tanë nëpër komuna të Kosovës u fol për situatën politike në vend dhe për përgatitjet që kemi bërë për fillimin e sesionit vjeshtor të punës”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Kurti është shprehur optimist sa i përket realizimit të agjendës legjislative.
“Do të kalojnë ligje të rëndësishme e që përforcojnë reformën që kemi filluar në ekonomi dhe drejtësi, por hapësirë do të ketë edhe për propozime të tjera që vijnë nga qytetet tjera të vendit e që kanë rëndësi për zhvillimin dhe progresin tonë të gjithmbarshëm”.
Kryeministri poashtu ka premtuar politika zhvillimore si dhe luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Mirëpo ai nuk e ka lanë pa përmendur edhe çështjen e masave të BE-së e dialogun.
“Në planin e dialogut do të insistojmë që të respektohet marrëveshja e nënshkruar në Bruksel dhe të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës”.
Ai ka premtuar edhe mbështetje për Luginën e Preshevës dhe komunitetet tjera jo shumicë në Kosovë.
Në takim hapësirë të rëndësishme ka zënë edhe niveli lokal ku kryeministri i vendit dhe i pari i LVV-së ka kërkuar më shumë punë.
“Te çështjet organizative u fol për punën e shtuar që duhet bërë në ngritjen e opozitbërjes nëpër secilën komunë, në fuqizimin e qendrave tona, në shtimin e anëtarësimeve të reja, në mënyrë që kësisoj shumë shpejtë t’i kompletojmë strukturat tona për të garuar në secilin qytet të Republikës”, thuhet në njoftimin e LVV-së./Telegrafi/