Kryeministri Albin Kurti në një mbledhje me pikat e Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur i sigurt se do të fitojnë edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që sipas tij më së voni do të mbahen në vitin 2025.
“Ne kemi fituar zgjedhjet në 6 tetor 2019, kemi fituar përsëri me 50.2% të votave në 14 shkurt 2021, e me siguri do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025”.
Megjithatë ai ka thënë se arsyeja pse angazhohen nuk është fitorja e zgjedhjeve por dëshira për ndryshim.
“Këtë duhet ta kërkojmë nga vetvetja përditë, në punën tonë organizative dhe politike. Për ta mundur korrupsionin, duhet që vetë ne të mos vuajmë nga lakmia e nga zilia. Për ta mundur paaftësinë, duhet që vetë ne të jemi modestë e të hapim rrugën për profesionistët”, ka deklaruar tutje Kurti.
Kurti ka thënë se për ta mundur prapambetjen, aktivistët duhet të sfidohen e të largohen prej rehatisë dhe zonës së komfortit.
Ai tutje theksoi se ndryshimi që dëshirojnë të sjellim në Kosovë për të kapur hapin e zhvillimit të vendeve evropiane është ende në fillimet e tij andaj duhet angazhim në struktura.
“Të zgjerohet komunikimi ynë me popullin që të kuptohen drejt nevojat dhe mundësitë që kemi, e që të ecim së bashku drejt zhvillimit progresist”, vijoi tutje Kurti./Telegrafi/