Në 24-vjetorin e masakrës në Podujevë, kryeministri Albin Kurti, tha se masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe se kjo masakër kërkon drejtësi.
I shoqëruar nga Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputeti i Kuvendit, Armend Muja, Kryeministri Kurti bëri homazhe te varrezat e 16 anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, në masakrën e kryer nga njësiti serb “Shkorpionët”.
“Në një ditë si kjo, ne jemi plot dhembje, mall e pikëllim për më të dashurit tanë, për këto familje, që humbën e vuajtën kaq shumë, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për qëndresën e tyre dhe për kurajon, që po ia japin gjithë popullit tonë”, tha kryeministri Kurti.
“Ky krim, kjo masakër kërkon drejtësi. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe”, theksoi Kurti.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë në Kosovë, në veçanti prokurorëve në Prokurorinë Speciale, që të punojnë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë.
I pranishëm ishte edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër ia kanë vrarë 4 fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10 vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit. Në homazhe ishin edhe fëmijët e tij të lindur pas lufte, të cilët mbajnë emrat e fëmijëve të vrarë para 24 vjetëve. /Telegrafi/