Site icon Telegrafi

Kurti: Lidhja e zonave rurale në internet brezgjerë është një hap drejt zhvillimit ekonomik të vendit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se lidhja e zonave rurale në internet brezgjerë është një hap drejt zhvillimit ekonomik të vendit.

Kurti këto komente i ka bërë gjatë qëndrimit në fshatin Herticë në Komunën e Podujevës, për të shënuar shtrirjen e infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në tërë territorin e Kosovës.

“Kjo lidhje e zonave rurale, duke përfshirë edhe ato më të thella, në internet brezgjerë, nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Është një hap përpara në rritjen dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të shtetit tonë. Është një qasje në shërbime, mundësi për arsim e kujdes shëndetësor më të mirë, dhe prosperitet ekonomik në çdo cep të vendit”, është shprehur Kurti.

Sipas tij, me anë të këtij programi pritet të trajnohen 2 mijë të rinj në fushën e teknologjisë dhe informacionit.

“Falë këtij programi, tashmë janë trajnuar mbi 400 të rinj e të reja në fusha të ndryshme të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përderisa deri në fund të programit ky numër do të arrij në 2,000. Gjithashtu, është mundësuar lidhja në internet brezgjerë të 201 fshatrave, 107 shkollave dhe 43 ambulancave, që më parë nuk kanë pasur një lidhje të tillë”, ka shtuar ai.

Në fund, Kurti ka theksuar se shpejti do të inaugurohet Parku i Teknologjisë Digjitale në Bërnicë. /Telegrafi/

Exit mobile version