Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas arritjes së marrëveshjes me LDK-në, ka dalë me një reagim, ku ka folur për procesin negociues me partinë që do të bashkëqeverisë.
Kurti ka thënë se me LDK-në moti janë marrë vesh.
“Në negociatat me LDK-në, njëri-tjetrit, i kemi ofruar kërkesa e i kemi kërkuar oferta, jemi qarë e kemi qeshur, përherë të kujdesshëm që ndërmjet nesh të ndodhet një tavolinë”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, përcjell Telegrafi.
Më tej ai ka shkruar se “Jemi vonë, gjithsesi. Nuk është tepër vonë, pa dyshim”.
“Moti jemi marrë vesh, tash kemi edhe marrëveshje. Do të qeverisim bashkë. Ju falemnderit për mbështetjen dhe durimin. Urime të gjithëve!”, ka shkruar Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.
Marrëveshja është nënshkruar nga liderët e të dy partive, Albin Kurti (Vetëvendosje) dhe Isa Mustafa (LDK).
Dy liderët, Kurti dhe Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan për arritjen e marrëveshjes dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re./Telegrafi/