Telegrafi

Kurti: Kushtetuta ka shumë mangësi e pabarazi, por do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës për masat e kufizimit të lëvizjes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Faceboook ka thënë se do ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që masat e ndërmarra kundër përhapjes së COVID-19 të mos bien në kundërshtim me Kushtetutën.

Kurti theksoi se Kushtetuta e Kosovës lë shumë për të dëshiruar dhe ka mangësi e pabarazi.

“Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës”, shkruan Kurti.

Ai tha se kushtetueshmëria ka vlerë e duhet respektuar, prandaj edhe do ta respektojnë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për masat e kufizimit të lëvizjes.

“Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit”, shkruan Kurti. /Telegrafi/