Telegrafi

Kurti: Kriminelët në veri e kanë mbështetjen politike të Beogradit, faktori ndërkombëtar do të duhej të mbajë shënim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot edhe për çështjen e destabilizimit në veri të vendit, duke thënë se ata që duan destabilizimin e Kosovës nuk e duan sundimin e ligjit edhe në këtë pjesë të shtetit.

Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se problemi është se interesi i personave që duan destabilizim në Kosovë gjen mbështetje politike në Beograd dhe për këtë sipas tij, faktori ndërkombëtarë duhet të mbajë shënim.

“Ata që duan destabilizim nuk e duan sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është duke u vendosur edhe në veri, duke u luftuar krimi, korrupsioni e kontrabanda.

Ata që janë në listën e zeze të Thesarit amerikan, ata të cilët kanë flet-arreste në Kosovë, ata që kanë punuar e punojnë për strukturat ilegale natyrisht se kanë interes destabilizimin.

Problemi është që interesi i tyre gjen mbështetje politike në Beograd.

Unë besoj se faktori ndërkombëtar do të duhej të mbajnë shënim me shkronja të theksuar për këtë mbështetje politike që ju vjen këtyre kriminelëve që duan destabilizimin e Kosovës sepse e luftojnë shtetin e Kosovës.

Përgatitjet po i bëjmë maksimale që edhe me 1 gusht e tetor të shkojë gjithçka siç e thotë Kushtetutshmëria e sundimi i ligjit….”, tha Kurti. /Telegrafi/