Site icon Telegrafi

Kurti krahasoi ekonominë e vitit 2023 me atë të vitit 2000, ironizon Hoti: Krahasoje me ’99, rritja të del 10 herë më e madhe

Ish-kryeministri i Kosovës, tash deputet i LDK-së, Avdullah Hoti ka ironizuar me qeverinë në lidhje me krahasimin që kjo e fundit i bëri situatës së tanishme me atë të vitit 2000.

“Sot, në hapje të mbledhjes së Qeverisë, kreu i Qeverisë lëvdohej duke e krahasuar Produktin e Brendshëm Bruto të vitit 2023 me atë të vitit 2000. Të gjithë e dinë se në vitin 2000, ne sapo ishim kthyer nga deportimi i “politikës së tokës së djegur”, që u zbatua sistematikisht nga regjimi serb”, ka shkruar Hoti.

Ai thotë se duhet kujtuar se në vitin 2000 gjysma e shtëpive ishin të djegura derisa institucionet ishin të shkatërruara.

“Në vitin 2000, gjysma e shtëpive ishin të djegura. Kafshët shtëpiake dhe mjetet bujqësore ishin të vjedhura e të shkatërruara. Infrastruktura shkollore, shëndetësore e rrugore ishte shkatërruar gati plotësisht nga lufta e nga mungesa e investimeve mbi 10 vjet. Shumica e bizneseve ishin plaçkitur e duhet të nisnin nga e para”.

Hoti thotë se kjo që po bën Kurti është një propagandë “sikurse e komunistëve”.

“Kjo sjellje e kreut të Qeverisë është propagandë e marrë, sikur ajo e komunistëve, të cilët mashtronin qytetarët me ‘arritjet e planeve 5-vjeçare’, në ndërkohë që qytetarët varfëroheshin”.

“Unë i propozoj atij ta bëj krahasimin me vitin 1998-99. Sigurisht se rritja i del të jetë jo 5 herë, por 10 herë më e madhe!”, ka ironizuar në fund Hoti./Telegrafi/

Exit mobile version