Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në ditën e tretë të Forumit Ekonomik të Delfit, të cilit i ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Gjatë takimit me kryeilomatin grek, Kurti ka folur për progresin e shënuar gjatë një vit qeverisjeje, angazhimin për reforma në drejtësi, sundim të ligjit dhe zhvillim të ekonomisë.
Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë nga ky takim, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit, Kurti ka theksuar rëndësinë që ka përkrahja e Greqisë, si vend i rëndësishëm i rajonit, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kurti ka rikonfirmuar përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, veçanërisht në Programin e Partneritetit për Paqe.
Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti ritheksoi se nga ai duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
Ministri Dendias e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për të arriturat dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë greke për të shtuar bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera.
Ai tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shtoi se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë te situata në Ukrainë pas invazionit dhe agresionit rus dhe ndikimi që mund të ketë në destabillizimin e Ballkanit Perëndimor, thuhet në njoftim. /Telegrafi/