Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rritja enorme e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari në vend, për çka tha se kanë shtuar kontrollin dhe mbikëqyrjen për ata tregtarë që manipulojnë me çmimet ashtu sikur ditë më për parë me vajin.
Në debatin parlamentar për çmimet, Kurti paralajmërojë se do të ndëshkohen të gjitha ata tregtarë që manipulojnë me çmimet. Derisa për çmimin e vajit prej 3.49 euro, Kurti tha se ishte një kurdisje.
“Rritja e çmimeve është shqetësim i çdo qytetari, ne si qeveri jemi duke punuar në vazhdimësi që të mbështesim qytetarët e sidomos ata që janë më të cenueshëm. Krizat na prekin të gjithëve, ndonëse jo të gjithëve njësojë. Ne kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë, ashtu siç u dëshmua pak ditë më parë, ku ka të tillë që synojnë përfitim në emër të krizës. Madje, fitimin e duan si super profit. Janë inspektuar e po vazhdojnë të inspektohen operatorë ekonomik në tërë Kosovën[…]të gjitha ata shitës që manipuluan me çmimet në kurriz të qytetarëve duhet të ndëshkohen e do të ndëshkohen. Çmimi prej 3 euro e 49 centë për një litër vaj ishte hapur kurdisje”, tha ai.
Kryeministri po ashtu sa i përket çmimeve, tha se Kosova i është bashkuar BE-së dhe SHBA-ve në sanksionimin e agresionit rus dhe siç theksoi se sanksionet kanë bërë që të ketë edhe më shumë ndikim në çmime.
“Energjia elektrike që mundëson prodhimin, dhe nafta që mundëson transportin, njëra në fillim dhe tjetra në fund të zinxhirit furnizimit me produkte që ne i konsumojmë, na e përcaktojnë në masë të konsiderueshme çmimet të cilat ne i shohim nëpër raftet e marketeve tona. Për tej kësaj, Kosova i është bashkuar BE-së dhe SHBA-ve në sanksionimin e agresionit rus dhe sanksionet kanë bërë që të ketë edhe më shumë ndikim në çmime. Një kosto e tillë ishte e pashmangshme, mirëpo kjo është kostoja solidaritetit me popullin ukrainas dhe mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore. Kosova nuk është në pozitë të mirë sa i përket luhatjes së çmimeve, sepse duke qenë ekonomi kryesisht importuese, luhatjet në çmime bëjnë që bashkë me importin e mallit të importojmë edhe rritjen e çmimeve edhe koston e atij që na e sjell mallin. Këtë po e ndryshojmë edhe duke rritur subvencionimin për prodhimin e produkteve bazë në këtë vit të parë në qeverinë tonë me buxhetin tonë të shtetit. Qëllimi këtij subvencionimi është qëndrueshmëria e bujqësisë vendore për të mbuluar pjesë më të madhe të kërkesës agregate në vend, duke u shliruar kështu nga varshmëria e importeve të shtrenjta”, tha ai.
Veç kësaj, Kurti tha se si Qeveri kanë subvencionuar naftën për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro ose 0.36 centë për litër, si dhe kanë mbështetur bujqit për plehërimin pranveror.
Tutje, ai ka thënë se kanë marrë edhe disa veprime të tjera në mbështetje të qytetarëve në këtë kohë me ngritje të çmimeve./kp/