Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të enjten në mbledhjen e Qeverisë se janë në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet.
Para kabinetit qeveritar, ai ka thënë se harta do të pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve.
Këto deklarime Kurti i ka bërë teksa ka folur për vërshimet në qytetin e Pejës që ndodhën të shtunën, e të cilat lanë të vdekur dy persona.
“Qeveria jonë është në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet, e cila do të pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve”, ka thënë kreu i qeverisë.
Ai tutje ka bërë të ditur se do të fillojnë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, “e cila vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshime klimatike”.
“Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejt në fondet për këtë qëllim. Vlerësohet se Kosovës i duhen më shumë se 1.3 miliard euro në infrastrukturë për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike”, ka thënë Kurti.
Ai tutje është shprehur se vitin e kaluar, për herë të parë një delegacion i Kosovës, i udhëhequr nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka marrë pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike COP27.
“Hap ky i rëndësishëm i përfshirjes së Kosovës në diskutime për një çështje me interes global e me ndikim lokal”, ka përfunduar kryeministri. /Telegrafi/