Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u është drejtuar bashkatdhetarëve përmes një video-mesazhi, ku ka kërkuar nga ta që të marrin pjesë në zgjedhjet që do të mbahen të dielën në Bashkimin Evropian.
“Këtë të diel, më 9 qershor, në 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian do të mbahen zgjedhjet evropiane – mbase më të rëndësishmet që prej zgjedhjeve të para evropiane të vitit 1979”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Evropës.
“Së pari ato ndodhin në rrethana ku një luftë e drejtpërdrejt po ngjanë mu në Evropë, në Ukrainë pas agresionit rus. Kjo luftë u nis prej një ideologjie fashiste nga Kremlini i Putinit… Së dyti i keni parasysh ndasitë që ekzistojnë brenda BE-së dhe përbrenda vendeve anëtare, përmes këtyre ndasive, Rusia duke u mbështetur gjithashtu në disa rryma politike ekstremiste ose liderë në pushtet të këtyre vendeve, ka ushtruar me vite një ndikim dëmtues.
Qëllimi i Rusisë dhe aleatëve të saj evropianë jashtë dhe brenda BE-së është i qartë: dobësimi i BE-së, dobësimi i projektit të zgjerimit të BE-së dhe të NATO-s, ndërsa ndaj neve, veçanërisht në Kosovë synohet pengesa e çdo perspektive integruese. Kështu që së treti, Kosova si vend aplikoi për anëtarësim në BE dhe si vend që ka për qëllim strategjik kryesor integrimin në BE dhe në NATO, nuk mund të mos marrë pjesë e të mos kontribuojë në çfarëdo forme në ruajtjen e këtyre organizatave dhe vlerave demokratike që ndajmë me to”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, vota e bashkatdhetarëve në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian duhet të jetë kontributi kundër rreziqeve që e kërcënojnë kohezionin dhe unitetin e BE-së.
“Prandaj vota juaj në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian të 9 qershorit duhet të jetë përgjigja jonë, kontributi ynë kundër rreziqeve që e kërcënojnë kohezionin dhe unitetin e BE-së”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/