Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka njoftuar zyrtarisht për aderimin e analistit politik, Haki Abazit në VV.
Në një shkrim të bërë në Facebook, Kurti ka thënë se me aderimin e Abazit në VV, partisë i është shtuar edhe një vlerë, transmeton Telegrafi.
Kurti ka shtuar se me Abazin në Lëvizjen Vetëvendosje, ndryshimet e domosdoshme në shtetin tonë po bëhen edhe më të afërta dhe më të lehta, duke shtuar se do të ecin bashkë drejt zgjerimit të mëtutjeshëm dhe fitores së pashmangshme.
Shkrimi i plotë:
“Haki Abazi na u bashkua në VETËVENDOSJE!. Njohuritë e gjera dhe eksperienca zhvillimore e Hakiut në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tonë.
Hakiu njihet, në mes tjerash, për përkrahjen e tij të vazhdueshme në themelimin e dhjetëra organizatave në Kosovë që promovojnë filantropinë, zhvillimin e qëndrueshëm, ide ndërmarrëse inovative, lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit, dhe qeverisjen e përgjegjshme. Ai ka jetuar e punuar në 120 shtete të botës në këto 20 vitet e fundit. Me Hakiun në Lëvizje, ndryshimet e domosdoshme në shtetin tonë po bëhen edhe më të afërta edhe më të lehta. Do të ecim bashkë drejt zgjerimit të mëtutjeshëm dhe fitores së pashmangshme”./Telegrafi/