Telegrafi

Kurti: Grupet e dhunshme në veri përdorën granata dore të sjellura nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se, më 29 maj, grupet e dhunshme ekstremiste dhe kriminale në tri komunat veriore të Kosovës kanë përdorur granata dore dhe shok bomba të prodhuara në Serbi dhe të sjellura po nga ai vend.

Kurti. në një postim në Twitter, ka thënë se me të njëjtat janë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policia e Kosovës dhe gazetarët që po raportonin për tensionet në veri.

“Grupet e dhunshme ekstremiste dhe kriminale në 3 komunat veriore më 29 maj përdorën granata dore SRB (Slavko Rudojić Bugojno) M75 dhe shok bomba RŠB (Ručna Šok Bomba) P98, të dyja të prodhuara dhe të sjella nga Serbia, duke plagosur dhjetëra ushtarë të NATO-s, policët e Kosovës dhe gazetarë”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Po hyjnë në javën e dytë protestat në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, ku protestuesit po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë në këto tri komuna.

Në protestat e dhunshme të 29 majit në Zveçan u lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, gjersa u tha se në protestë kanë marr pjesë edhe persona dhe grupe kriminale.

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave ka bërë të ditur se 11 ushtarë ishin nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez.

Në këto protesta, në ditët e para të tyre të lënduar ishin edhe disa policë të Kosovës, gjersa në vazhdimësi janë penguar gazetarët në punën e tyre dhe janë dëmtuar veturat e mediave. /Telegrafi/