Pas tensioneve në veri të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për shtim të trupave të KFOR-it në këtë pjesë.
Në një intervistë për mediumin gjerman “Die Welt”, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se shtimi i ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në Kosovë do të ndihmonin në paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të NATO-s… do të rrisë sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti.
Kurti ka treguar se Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje e po ashtu edhe numrin e ushtarëve rezervistë.
“Ushtarët gjermanë janë sigurisht të mirëpritur në Kosovë”, tha Kurti.
Sipas mediumit gjerman thuhet se KFOR-i aktualisht ka rreth 3,800 ushtarë të dislokuar në Kosovë, rreth 70 prej të cilëve janë gjermanë.
Gjithashtu thuhet se deri në 400 ushtarë gjerman mund të dërgohen në Kosovë me vendim të Bundestagut, parlamenti federal gjerman.
Situata në Kosovë ishte tensionuar në javët e fundit, ku serbët në veri vendosën barrikada, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
Forcat kosovare të sigurisë dhe ushtarët e KFOR-it ishin sulmuar disa herë, me armë zjarri.
Pas thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së për de-përshkallëzimin, kreu i shtetit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq kërkoi të enjten largimin e barrikadave që ishin vendosur në rrugë dhe situata u qetësua. /Telegrafi/