Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se ka mirëpritur anëtarësimin në LVV të doktorit të shkencave pyjore Ylli Kortoçit.
Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar ekspertët nga secila qeverisje janë thirrur për të justifikuar gabimet e pushtetarëve.
Sipas tij me Lëvizjen eksperti është qytetari i përgatitur dhe profesionisti i vetëdijshëm që i shërben interesave të popullit dhe jo siç tha ai roboti e servili që justifikon gabimet e partisë dhe ndjek interesat e ngushta klanore.
Postimi i plotë:
Dje, së bashku me Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukën dhe deputetin Arbër Rexhaj mirëpritëm anëtarësimin në Lëvizje të doktorit të shkencave pyjore, Ylli Kortoçit.
Ylli ka kryer studimet e nivelit Bachelor në ”Universitetin Bujqësor të Tiranës” në Fakultetin e Shkencave Pyjore, si inxhinier pyjesh, e më pas edhe në atë të Agrobiznesit në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit në Tiranë, ndërkaq studimet e doktoratës i ka kryer në Viterbo të Italisë në fushën e menaxhimin të pyjeve dhe mjedisit. Ylli aktualisht është i angazhuar si profesor në Universitetin ”Ukshin Hoti” në Prizren.
Me profesionistë si Ylli, me përgatitje të duhur e me vullnet politik, të cilët përditë e më shumë po i afrohen Lëvizjes, jo vetëm që do të forcojmë Lëvizjen, por dija dhe integriteti i tyre do të ndihmojë fuqishëm qeverisjen e re të drejtë dhe me nder në Republikën e Kosovës.
Ekspertët nga secila qeverisje janë thirrur vetëm për të justifikuar gabimet e pushtetarëve, por me qeverinë e re të drejtuar nga Lëvizja, ata do të angazhohen në fushat e tyre, për projekte të drejta dhe që rrisin mirëqenien publike. Me Lëvizjen eksperti është qytetari i përgatitur dhe profesionisti i vetëdijshëm që i shërben interesave të popullit dhe jo roboti e servili që justifikon gabimet e partisë dhe ndjek interesat e ngushta klanore./Telegrafi/