Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se dy brengat kryesore në Kosovë si papunësia e korrupsioni nuk janë të rastësishme.
Ai në një postim në profilin e tij, në rrjetin social Facebook, ka shpërndarë disa të dhëna bazuar në raportin e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, shifra të cilat sipas tij, tregojnë se ekonomikisht shoqëria jonë është përtokë, ndërsa gratë nën tokë.
“Sipas Raportit të Iniciativës Kosovare për Stabilitet ‘Fakte 2018’, 73% e të moshuarve varen nga mbështetja familjare për të mbuluar nevojat e tyre elementare, kurse 91% e të moshuarve të anketuar kanë deklaruar se blejnë barna të listës esenciale. Vetëm 12% e grave në Kosovë janë të punësuara, krahasuar me 46,6% të burrave. Pensionin bazë (shtylla e parë) e marrin gati dyfish më shumë gra sesa burra (81 mijë kundrejt 41 mijë), ndërkaq pensionin kontributdhënës (shtylla e dytë) e marrin mbi gjashtë herë më shumë burra sesa gra (sipër 37 mijë kundrejt 6 mijë). Pra, gati trefish më shumë qytetarë e marrin pensionin bazë krahasuar me atë kontributdhënës. Ekonomikisht, shoqëria jonë është përtokë. Gratë edhe nën tokë”, ka shkruar kryetari i VV-së.
Sipas tij, nuk është rastësi që dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës janë papunësia e korrupsioni.
“Vjedhja lart e varfëria poshtë janë të ndërlidhura. Punësimi i paktë: me të njofshëm. Ndërkaq, hajnat e mëdhenj, po ashtu: të njofshëm! E vetmja prokuroria nuk është në ‘dijeni’ e s’i ‘njeh’ ata”, theksoi Albin Kurti. /Telegrafi/