Telegrafi

Kurti e Sveçla e presin në takim u.d. drejtorin e Përgjithshëm të Policisë

Kryeministri Albin Kurti priti këtë të premte në takim ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti. 

Në takimin në të cilin ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti e uroi Hoti për përgjegjësitë e reja.

“Ai tha se forcimi i rendit publik dhe sundimi i ligjit janë synim i yni i përbashkët”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë.

Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla bëhet e ditur se i dhanë mbështetjen e plotë Hotit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe vendosjen e ligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit.

Fehmi Hoti është caktuar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës tri ditë më parë.

Kryeministri Kurti e caktoi Hotin në këtë pozitë pasi Samedin Mehmeti dha dorëheqje, pas rastit të rëndë që ndodhi në Prishtinë, ku një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga pesë persona. /Telegrafi/