Site icon Telegrafi

Kurti e quan gënjeshtar Thaçin: Prokuroria duhet ta marrë në pyetje për deklaratat e tij për dhomën e përgjimeve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i është përgjigjur deklaratave të presidentit Hashim Thaçi i cili mbrëmë tha se Kurti së bashku me Haki Abazin e Xhelal Sveçlën kanë qenë në dhomën e përgjimeve.

Kurti ka thënë se këto deklarata janë gënjeshtra dhe shpifje.

“Ato janë gënjeshtra, janë shpifje. Problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë njëherë, duhet të gënjejnë përditë, madje disa herë në ditë. Të gjitha ato shpifje për neve nuk besoj se duhej të ishin vetëm pyetjet e juaja për mua por edhe pyetjet e prokurorit të shtetit për presidentin”, ka thënë Kurti.

Lexo po ashtu Thaçi: Kurti, Abazi e Sveçla për tri ditë kanë qëndruar në dhomat e përgjimit në PTK, pasi kanë ndalur kamerat

Kurti ka shtuar se protagonistëve të aferës pronto iu ka ngelur mendja tek përgjimet.

“Protagonistët e aferës pronto ju kanë ngelur mendja te përgjimet, atëherë kur e ushtronin italishten e filmave mafioz. Ata me të cilët nuk pajtohen janë duke u marrur me imagjinatën e tyre. Po e theksoj edhe njëherë që të mos humbim kohë me ta, se dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte të miat. Ata kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e përgjimeve, ata kanë dëshirë që ta uzurpojnë ulësen e kryeministrit, ata i kanë këto dëshira dhe mi m’veshin mua si fakte por nuk qëndrojnë”, u shpreh Kurti.

Kurti është deklaruar rreth tubimit të sotëm të VV-së në sheshet e kryeqytetit, që është paralajmëruar si provë për protestë me 3500 deri në 5000 vetë.

“Së pari, Vetëvendosje ka organizatën e aktivistëve dhe ata veprojnë, organizohen, punojnë. Ne si kryeministri nuk marrim pjesë në organizim të këtyre takimeve”, tha ai.

Kurti këto komente i bëri pas vizitës në Komunën e Prishtinës ku u prit nga kryetari Shpend Ahmeti me të cilin disktuan rreth menaxhimit të situatës me pandeminë COVID-19. /Telegrafi/

Exit mobile version