Telegrafi

Kurti e përmbyll vizitën në Bled “me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Kosovës”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një përmbledhje të vizitës së tij në Bled të Sllovenisë, ku ka marrë pjesë në Forumin Strategjik të mbajtur në këtë qytet.

Ai ka njoftuar për takimet e zhvilluara dhe ka theksuar se e ka përmbyllur pjesëmarrjen atje “me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Republikës së Kosovës”.

Kurti gjithashtu ka bërë të ditur se diskutimet dhe shkëmbimet mbi bashkëpunimin rajonal, sigurinë e kontinentit dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nga samiti i javës së kaluar në Athinë, i kanë vijuar edhe në Forumin Strategjik të Bledit.

“Të dielën, pasi vizitova ekspozitën e artistes sonë Flaka Haliti në Galerinë Artit në Lubjanë, në mbrëmje iu bashkëngjita darkës së punës të ftuar nga Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob me liderë të rajonit dhe me presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel. Krahas theksit mbi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, aty mirëprita thirrjet e Kryeministrit slloven, Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar në Facebook.

Ditën e hënë ka thënë se e ka filluar me panelin e liderëve, në të cilin ndër të tjerash “thashë se i gjithë rajoni duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s ashtu që gjenerata e ardhshme të mos përjetojë vështirësitë që kemi përjetuar ne, ndërkohë duhet të ketë njohje reciproke, respektim të të drejtave të pakicave kombëtare dhe të ketë ballafaqim me të kaluarën”.

“Pasdite, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku dhe Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëresha Kryeziu Hyseni, zhvilluam takime bilaterale me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe Kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob. Falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të të dy këtyre shteteve ndaj Kosovës, me të dy kryeministrat, folëm për forcimin e raporteve bilaterale, sidomos në rrafshin ekonomik dhe tregtar”.

Në takimin e pestë këtë vit me Lord Peach, të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Kurti ka thënë se kanë biseduar për bashkëpunimin rajonal, çështjet aktuale dhe procesin e dialogut.

“Për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të dakorduar në Ohër dhe takimin e radhës të nivelit të lartë në muajin tjetër bisedova me emisarin e BE-së, Lajçak. Ndërkaq me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter folëm për situatën tashmë të deeskaluar në katër komunat në veri dhe për rëndësinë e parandalimit të rieskalimit potencial të saj”.

“Me mesazhet për BE-në të një unioni vlerash dhe parimesh të përbashkëta, kërkesën që Ballkani Perëndimor të fokusohet në reforma dhe sundim të ligjit dhe vizionin e ofruar për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor deri më 2030, përmbyllëm pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit me më shumë shpresë e besim për të ardhmen e ndritur të Republikës tone”, ka përfunduar kryeministri. /Telegrafi/