Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak.
Kurti ka thënë se masakra e Reçakut ka tronditur dhe tmerruar Kosovën, por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike, transmeton Telegrafi.
I pari i LVV-së, ka thënë se edhe pas 21 vjetëve nga masakra e Reçakut ende nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet.
“Lajmi për Masakrën e Reçakut e tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Masakra e Reçakut ishte vendimtare që NATO ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviqit….21 vite më vonë nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet dhe kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, popullit tanë, ndaj shtetit tonë, është obligim i institucioneve vendore dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë që të sjellim drejtësi, të shtojmë trysni mbi Serbinë ashtu që të gjithë kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën e Reçakut të nxirren para proceseve gjyqësore dhe të dënohen”, ka thënë Kurti para mediave.
Kujtojmë se më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht nga forcat serbe 45 shqiptarë të paarmatosur. /Telegrafi/