Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot dhe zëvendës Drejtorin nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropë, Sylvain Guiaugué.
Një njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se biseda ishte miqësore, derisa sipas tyre Kurti i theksoi suksesin e arritur në procesin e Berlinit përmes nënshkrimit të tri marrëveshjeve, që është lajm i mirë për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në takim u diskutua për situatën e sigurisë me theks në pjesën veriore të Kosovës dhe liberalizimin e vizave.
“Kurti i njoftoi miqtë francez me mbarëvajtjen e punës së institucioneve, situatën e sigurisë në përgjithësi, me theks në pjesën veriore të Kosovës, përkushtimin për Agjendën e Reformave Evropiane dhe përsëriti urgjencën për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”.
Kryeministri para francezëve ka akuzuar Serbinë për nxitje të bijkotit në veri të Kosovës.
“U diskutua edhe për zhvillimet e ditëve të fundit. Kryeministri Kurti tha se bojkoti është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve. Ai ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta vazhduar dialogun dhe e angazhuar për rend dhe sundim të ligjit, paqe e siguri në Kosovë dhe rajon”.
Ambasadori francez e ftoi Kryeministrin Kurti në javën e Frankofonisë, e cila fillon javën e ardhshme, me shfaqjen e filmave nga kinematografia e pasur franceze. Me këtë rast, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen e dhënë nga Franca në fushën e artit dhe pasurimin e skenës kulturore në Kosovë.
“Ky takim miqësor u realizua me rastin e vizitës së një delegacioni të gjerë të shtetit të Francës në Kosovë i përbërë nga zyrtarë nga Ministria për Punë të Jashtme e Evropë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, me ç’rast janë duke u zhvilluar takime teknike punuese me ministritë tona përkatëse në fushën e bashkëpunimit policor, luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, menaxhimit të migrimit, azilit, liberalizimin e vizave, frankofoninë dhe marrëdhëniet bilaterale”, thuhet tutje në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit./Telegrafi/