Site icon Telegrafi

Kurti: Dialogu të jetë i koordinuar mirë ndërmjet SHBA-së dhe BE-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka shpalosur detaje rreth takimit të së hënës me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Kreu i LVV-së përmes postimit në Twitter ka thënë se me të dërguarin special të BE-së, është dakorduar që dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i përgatitur mirë dhe parimor.

“Dialogu duhet të jetë transformues dhe transparent, në mënyrë që qytetarët të jenë përfituesit gjersa duhet të jetë transatlantik – i koordinuar mirë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka shkruar Kurti, përcjell Telegrafi.

“Mbrëmjen e kaluar e mirëprita në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai i përcolli urimet e tija më të mira qeverisë së ardhshme dhe unë e informova për përparësitë tona kryesore – punësimin dhe drejtësinë”, shkroi fillimisht Kurti në llogarinë personale në Twitter.

“Ne të dy ranë dakord që dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime. Duhet të jetë transformues dhe transparent, në mënyrë që qytetarët të jenë përfituesit gjersa duhet të jetë transatlantik – i koordinuar mirë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, përfundoi lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas takimit të mbrëmshëm me Lajçak, Kurti para gazetarëve kishte deklaruar se dialogu me Serbinë nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë.

“Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, ka thënë të hënën Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version