Site icon Telegrafi

Kurti dhe kryeministri bullgar bisedojnë për avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve

Në ditën e tretë të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim dypalësh me kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Në takimin e tyre, kryeministri Kurti dhe ai bullgar Denkov kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, për 13 marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet dy vendeve dhe 7 të tjera që janë në proces të finalizimit, për bashkëpunim ndërshtetëror dhe rajonal si dhe situatën e sigurisë në rajon.

Kryeministri Kurti e falënderoi homologun e tij bullgar për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, për përkrahjen aktive në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për kontributin në fushën e sigurisë e mbrojtjes përmes pjesëmarrjes së saj në misionin e KFOR-it, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version