Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, me të cilin tha se ka folur për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Kurti përmes një statusi në Twitter ka shkruar se qëllimi i qeverisë që ai e drejton është të sigurojë akses në zyrat për kryetarët e zgjedhur të komunave veriore.
“Pata një telefonatë me Lordin Stuart Peach për zhvillimet më të fundit. Theksova se qëllimi i vetëm i qeverisë sonë është të sigurojë qasje në zyre për kryetarët e zgjedhur të komunave dhe shpreha angazhimin tim për të punuar me Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e QUINT-it për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Ndryshe, situata në veriun e Kosovës duket e qetë të shtunën, një ditë pasi grupe qytetarësh serb u përplasën me policinë e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.
Policia hodhi gaz lotsjellës të premten në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë grupet e serbëve lokalë që hodhën gurë e shashka mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine. Policia tha se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve.
Po ashtu pati dëmtim makinash të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal duke u ankuar për lëndime të lehta dhe ndikimin e gazit lotsjellës./Telegrafi/
Had a phone call w/ Lord Stuart Peach on the latest developments. Emphasized that our Govt’s only intention is to provide access to the offices for the elected mayors & expressed my commitment to work w/ the UK and QUINT allies on a prompt implementation of the Basic Agmt.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 27, 2023