Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se në betejën e Kosovës për rend dhe ligj, do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës.
Në nderim të policit të rënë sot në krye të detyrës, Afrim Bunjakut, kryeministri i Kosovës, kryetari i Kuvendit, ministra të kabinetit qeveritar, ambasadori amerikan në Kosovë, kanë ndezur qirinj.
Te stacioni policor Qendra gjithashtu janë mbledhur edhe shumë qytetarët, të cilët po ndezin qirinj në shenjë respekti për policin e vrarë.
Kurti më parë i shoqëruar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani, dhe kolegë të të ndjerit, Afrim Bunjaku kanë vizituar familjen e tij për t’i shprehur ngushëllime.
“Pikëllimi është i thellë, dhembja është e madhe, por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificën e Afrimit. Në betejën e Kosovës për rend, ligj dhe kushtetutshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe liri për të gjithë pa dallim kundër kriminelëve dhe terroristë të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht nga Serbia, do te ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës. Lavdi Afrim Bunjakut dhe të gjithë ne zotohemi që rrugën të cilën ai e ndriti me punën dhe angazhimin, por edhe sakrificën e flijimin, ne do ta vazhdojmë pa kompromis”, deklaroi Kurti./Telegrafi/