Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është e vetmja marrëveshje e arritur në Bruksel, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Këtë deklarim ai e bëri para mediave, pasi u pyet se a ka presion të madh nga ndërkombëtarët për formimin e Asociacionit.
Kurti tutje u shpreh se ka insistim nga faktorët ndërkombëtarë që kjo marrëveshje të theksohet edhe më shumë, por sipas tij, ajo tashmë është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues.
“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013 e pastaj i elaburuar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit 2015, të theksohet më shumë”.
“Por, ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, është marrëveshje njëmend e theksuar në kuptimin juridik dhe kushtetues. Tash procesi negociator do të duhej që të na shpije përpara”, deklaroi kreu i ekzekutivit. /Telegrafi/