I nominuari për kryeministër të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, të martën në një takim me studentë në Qendrën e studentëve në Prishtinë, tha se me ardhjen e kësaj partie në pushtet, arsimi i lartë do të jetë pa pagesë, pasi që ai nuk mund të konsiderohet luks.
Ai tha se në mandatin e parë të qeverisjes së Vetëvendosjes në gjithë Kosovën do të ndërtohen banesa sociale, si dhe do të hapen çerdhe të reja.
“Katër mijë banesa sociale do të ndërtohen gjatë mandatit të parë të qeverisjes sonë, pasi që një numër i madh i të rinjve, thjesht e shtyjnë martesën dhe formimin e familjes, për shkak se nuk e kanë mundësinë ta braktisin banesën apo shtëpinë e prindërve të tyre dhe të dalin në një banesë të veçantë. 160 çerdhe për fëmijë nëpër krejt Kosovën, vetëm 42 çerdhe janë sipas regjistrit të MASHT. Do të pesëfishohet numri i çerdheve. Arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë. Nuk ka kuptim që arsimi të konsiderohet luks. Arsimi është e drejtë dhe është obligim i shtetit, që t’ua mundësojë dhe garantojë këtë gjithë rinisë sonë”, tha Kurti.
Ai u tha studentëve që të dalin më 11 qershor të votojnë, pasi që ndryshimi tanimë është i domosdoshëm.
“Na ndajnë vetëm 12 ditë nga zgjedhjet e 11 qershorit. Katër vjet për çdo ditë pushteti vendos. Por nuk kanë çare pa e lënë një ditë për qytetarët dhe ajo është e diela e 11 qershorit, kur do të duhej që i gjithë populli e posaçërisht rinia ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të votojnë masivisht dhe drejtësisht, dhe kësisoj ta mundësojnë dhe realizojnë ndryshimin që nëse ka qenë deri dje i nevojshëm, tash është i domosdoshëm”, tha Kurti.
Ai tha se arsimi duhet të lidhet me ekonominë dhe se kjo është e domosdoshme, në mënyrë që njerëzit të kenë vende pune dhe të punojnë në profesionin e tyre.
Sipas tij çdo e teta grua në Kosovë punon dhe dy e treta e rinisë janë të papunë, derisa shumica e atyre që janë të punësuar, nuk punojnë në profesion dhe 40 për qind e rinisë që punon, nuk është me kontratë pune.
Kurti potencoi se Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt që mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin.
“Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt që këtij regjimi nuk ia ka pasur as frikën, as respektin. Prandaj, ne jemi të vetmit që mund ta luftojmë krimin dhe korrupsionin”, tha Kurti.
Ndryshe, Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit do të garojë e vetme.