Site icon Telegrafi

Kurti: 203 policë të Kosovës, sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja

Edhe kryeministri Albin Kurti ka reaguar pasi gjatë ditës kanë protestuar njësitet elitare të Policisë së Kosovës.

Përmes një shënimi në Facebook, Kurti ka thënë se pos të ardhurave tjera, pjesëtarët e njësiteve elitare do të marrin në fund të muajit edhe nga 1,350 euro shtesa të rrezikshmërisë për muajt shkurt-nëntor.

“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat)”.

“Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”, ka shkruar Kurti.

Lexo po ashtu Paga bazë e një polici të Njësisë Speciale Intervenuese është 631 euro (Dokument)

Kurti ka thënë se nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet.

“Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro”, ka shtuar ai.

I pari i Qeverisë ka thënë se 27% e pjesëtarëve të policisë së Kosovës kanë marrë më shumë se një mije euro në muaj pagë.

“E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”.

Lexo po ashtu Sveçla: Pjesëtarët e Njësive Speciale që protestuan sot, kanë të hyra mujore mbi 2,200 euro

“Ju falemnderit pjesëtarëve të NjSI-së për shërbimin ndaj atdheut dhe zbatimin e ligjit”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka shtuar se paga mesatare në Kosovë vazhdon të jetë e ulët.

“Paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 470 euro, ndërkaq në atë publik është 700 euro. Të punësuar në sektorin privat janë rreth 340 mijë qytetarë, kurse në atë publik rreth 80 mijë qytetarë”, deklaroi Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version