Nga: Roland Qafoku
Deri atë 30 janar të vitit 1913 ushtria malazeze kishte një armik që nuk ia lejonte marrjen e Shkodrës. Quhej Hasan Riza Pasha dhe ishte komandanti i ushtrisë osmano-shqiptare me gradën gjeneral. Por, në orën 18:00 të kësaj dite, disa të shtëna arme në trupin e tij e shtrinë për tokë, duke e plagosur rëndë dhe vetëm një ditë më pas ai ndërroi jetë.
Nga ky moment, për malazezët rruga ishte e hapur, ndërsa plani i komandantit të ushtrisë osmano-shqiptare për të nisur sulmin 24 orë më pas, mbeti vetëm në letër. Esad Pashë Toptani që e zëvendësoi komandantin e vrarë, e dorëzoi Shkodrën pa kushte, ndërsa vrasja e Hasan Riza Pashës e realizoi qëllimin.
SKENA E KRIMIT
Mënyra e vrasjes së Hasan Riza Pashës i ngjan një intrige dhe enigme njëkohësisht tipike osmane e ballkanike. Pasditen e 30 janarit zëvendësi i tij, Esad Pashë Toptani, e ftoi Hasan Riza Pashën në shtëpinë e vet. Pasi biseduan të dy kokë më kokë për planet e luftës në mbrojtje të Shkodrës, i pashoqëruar nga rojet e veta, Hasan Riza Pasha doli nga shtëpia e Esadit dhe eci më këmbë.
Kishte vetëm 150 metra për të përshkruar dhe shoqëruesit e tij në ato momente ishin dy rojet personale të Esad Pashë Toptanit, Osman Bali dhe Mehmet Kavaja. Shoqëruesit u dhanë sinjal vrasësve me disa ulje-ngritje të fenerëve që mbanin në duar. Papritur, të ndihmuar nga errësira, dy persona që kishin zënë pritë pas një muri happen zjarr ndaj Hasan Riza Pashës.
Nga plagët e marra, gjenerali u rrëzua në tokë i plagosur rëndë, ndërsa dy shoqëruesit nuk bënë asnjë reagim ndaj vrasësve të natës.
SI U ORGANIZUA VRASJA
Është nga ato vrasje të organizuara që e turpërojnë më shumë shqiptarin. Një i huaj që drejtonte mbrojtjen e Shkodrës u vra në këtë qytet nga shqiptarët. Dukej që gjithçka ishte e organizuar në mënyrë perfekte dhe, sipas të gjitha të dhënave, Esad Pashë Toptani ishte ideatori dhe organizatori. Të dy shoqëruesit e tij, Osman Bali dhe Mehmet Kavaja shërbyen si udhërrëfyes, por edhe si sinjalizues të vrasësve.
I gjithë plani i vrasjes, mënyra e ekzekutimit dhe personat e përfshirë në të, rezultojnë të jetë bërë prej njeriut më besnik të Toptanit, Osman Bali. Edith Durham, etnologia angleze dhe mikja e shkodranëve dhe shqiptarëve, prezente në atë kohë në Shqipëri, e përshkruan kështu ngjarjen:
“Atë natë, pas darkës që hëngri me Esatin, Hasan Rizanë e vranë dy burra të veshur si gra. Pas kësaj, Osman Bali dhe Mehmet Kavaja, që të dy shërbëtorë të Esatit, u mburrën duke thënë se këtë akt e kishin kryer ata”.
Por, më saktë akoma dhe më me detaje, skenën e krimit e jep Eqrem bej Vlora, që edhe pse djali i motrës së Esad Pashë Toptanit, nuk ka aspak droje ta implikojë drejtpërdrejt dajën e tij.
“Esat Pashë Toptani e ftoi Hasan Riza Pashën për një darkë në shtëpinë e tij. Pas buke e shoqëroi mikun dhe eprorin e vet deri te dera e kopshtit dhe aty urdhëroi Osman Balin, njëri nga ndjekësit e tij më besnikë, t’i ndriçojë me fener rrugën pashës deri në shtëpi të vet. Osman Bali, njeri me peshë në zonën e Tiranës, luajti kështu rolin e ndërmjetësit dhe të përgatitësit të kësaj vrasjeje. Vrasësit ishin një katolik nga Kthella (para vdekjes së tij natyrore në vitin 1924, ai iu rrëfye priftit) dhe një mysliman nga Tirana. Të dy ishin fshehur pas murit të një kopshti, duke pritur sa të kalonte andej, krejt i shkujdesur, gjenerali turk. Osman Bali ecte… përpara Hasan Riza Pashës. Pranë pritës ai ngriti lart tri herë fenerin dhe po atë çast ushtuan edhe krismat”.
Edhe historiani turk me origjinë shqiptare, Nexhip Alpan, shpreh bindjen për autorin: “Esadi e vrau rivalin Hasan Riza Pashën me të pabesë. Sidoqë Esadi zëvendësoi administratën e Vilajetit, nuk bëri asnjë hetim për vrasësit e blerë”.
Po atë mbrëmje, gazetari italian Gino Berri shkruante në ditarin e tij:
“Ndërkaq, Esat Pasha është i turpëruar, sikurse flitet. Në Shqipëri, kur një njeri del nga një shtëpi ku ka qenë mik, është i paprekshëm dhe ai që e prek atë e fyen të zotin e shtëpisë që e ka pasur mik. Ky mbetet nën peshën e rëndë të dyshimit dhe ka të drejtën e hakmarrjes mbi vrasësin për të shlyer turpin që e njollos. Dyshimi mbetet derisa gjaksori nuk është zbuluar”.
VDEKJA E GJENERALIT
Hasan Riza Pasha u mbijetoi plagëve të marra vetëm 7 orë e 15 minuta. Në orën 02:00, të pasmesnatës së 31 janarit ai vdiq i rrethuar nga bashkëpunëtorët e vet. Minutat e fundit të jetës së tij ishin beteja më e fortë e jetës së tij. Dukej sikur nuk e pranonte vdekjen dhe nisi të flasë pa pushim.
Fjalët e dala nga goja e tij në formë amaneti janë të një njeriu të madh: “Këto dy dekorata (plumba) doja t’i merrja në luftë e jo kështu, dhe, mbasi vritem këtu, djemt’ e këtij vendi duhet të ma marrin gjakun”!
Ndonëse po i shteronin fuqitë, Hasan Riza Pasha la edhe amanetin e dytë dhe të fundit, që më shumë është gati si një urdhër lufte: “Betohuni se do të ruani Shkodrën deri në vdekje!”
Kronikat e kohës tregojnë që teksa gjenerali dha shpirt, oficerët u ngritën në këmbë, morën drejtqëndrim dhe bënë betimin sipas amanetit që u dha komandanti. Një nderim vërtet impresionues për dëshmorin e parë të shtetit shqiptar.
GJENERALI IRAKIAN DHE SHKODRA
Shqipëria kishte vetëm dy muaj që kishte shpallur pavarësinë, por qeveria e Ismail Qemal Vlorës menaxhonte një territor vetëm disa kilometra katrorë. E ideuar si një pavarësi me të gjitha trojet, nuk kishte se si kryeministri të mos kishte një vëmendje të veçantë për Shkodrën.
Ka një korrespodencë mes Ismail Qemal Vlorës dhe Hasan Riza Pashës. Kryeministri që e njihte shumë mirë gjeneralin irakian, i dërgoi një mesazh, që mbrojtja e Shkodrës ishte jetike dhe ngritja e flamurit shqiptar në kalanë e Rozafës më 31 janar ishte simbolika e këtij qëllimi.
ESAD PASHË TOPTANI DHE HASAN RIZA PASHA
Ato orë dhe ditë Esad Pashë Toptani nuk e pranoi që të kishte gisht në vrasje. Madje, ai ka dhënë edhe një emër si autor të mundshëm të ngjarjes. Sipas Toptanit, malazezët kishin paguar një malësor nga Shoshi me emrin Ndoc Deda dhe ai i kishte bërë pritë gjeneralit irakian. Por, në janar të vitit 1914, në një gazetë austriake është botuar një lajm, sipas të cilit në një takim në Durrës me malësorë, Esad Pasha e ka pranuar vrasjen: “Esadi pranoi se ai vetë e kishte vrarë Hasan Rizain për t’i dhënë lirinë Shqipërisë”.
Ky zbulim mbyll çdo diskutim ose aludim diletantesk për “pozitën engjëllore” të Esadit dhe të veglave të tij. Nipi i Esadit, Eqrem bej Vlora, duket sikur e vulos autorësinë e Esadit për vrasjen e Hasan Riza Pashës teksa shkruan: “…Ky gjynah i duhet lënë në kurriz Esad Pashës. Këtë ai e ka pranuar vetë në bisedën e lartpërmendur me Syrja Beun. Dora në këtë vrasje qe një njeri i Esadit i quajtur Osman Bali”.
Ashtu i plagosur gjeneral Hasan Rizai gjeti mënyrën të komunikojë edhe me zëvendësin e tij, Esad Pashë Toptanin, pra më atë që ia organizoi pritën. Gazetari italian Gino Berri sjell një bisedë unikale të gjeneral Hasan Rizait me Esadin.
“Kur e ndjeu vdekjen afër u drejtoi një buzëqeshje të trishtuar oficerëve që po i rrinin pranë shtratit. Dhe, duke ngritur dorën ngadalë, i falënderoi ata, për çka kishin bërë për të. Pastaj, ia bëri me dorë Esat Pashës që t’i afrohej: “Të lë në kujdes familjen time, i tha, të mos harrohet. Kujdes djalin tim. Mos i thoni që më kanë vrarë, por që jam vrarë në luftime. Ndoshta nga ky mendim do të vuajë më pak.”
Nuk ka asnjë të dhënë që pasi e vrau Hasan Rizain, Esadi t’ia ketë plotësuar amanetin për të birin. 7 vjet më vonë Esadi u vra vetë në një atentat, një prej arsyeve të të cilit ishte edhe tradhtia e Shkodrës dhe vrasja e gjeneralit Pasha. /Tema/
(Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”)