Site icon Telegrafi

​Kurteshi: Kemi fakte se procesi i votimit me postë është tërësisht i kontaminuar

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, të hënën pas përfundimit të mbledhjes së KQZ-së, tha se Vetëvendosja do të ankohet në Gjykatën Supreme, për çështjen e rivotimit me postë nga votat jashtë Kosovës.

Kurteshi, shtoi se LVV-ja, ka nxjerrë prova se si “procesi është tërësisht i kontaminuar”.

“Ne kemi me u ankua në lidhje me çështjen e rivotimit me postë, nga vota e jashtme për mërgimtarët tanë, për arsye se kemi nxjerr shumë dëshmi, fakte, prova se ai proces është tërësisht i kontaminuar. Ne i kemi të dy afatet në dispozicion, një e kemi afatin me u ankua në vendimin e PZAP-së, sepse e ka hapur derën PZAP-ja ligjërisht 48 orë, por kemi të drejtën që të bëjmë ankesë edhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për shmangie nga vendimi për rivotimin e votave me postë.

Në këtë kontekst, partia ka dorëzuar një ankesë për anulimin e këtyre votave dhe kërkesën për rivotim përmes postës.

“Vëzhguesit tanë kanë mbledhur fakte dhe prova për shkelje të shumta, të cilat tregojnë ndërhyrje të organizuar në votimin përmes postës nga LDK. KQZ njoftoi se numërimi përfundoi më 5 mars 2025, në ora 21:00, dhe afati për ankesa ishte 48 orë nga ai moment. Ne e dorëzuam ankesën më 7 mars, në ora 20:20, brenda afatit ligjor”, thuhej në reagimin e Vetëvendosjes.

Në mbledhjen e KQZ-së të hënën u vendos të rinumërohen 50 kuti të votimit. /kp/

Exit mobile version