Pas angazhimi të Andrea Pirlos si trajner i Juventusit, një video në të cilën ai paraqitet përballë superyllit Cristiano Ronaldo është bërë hit në internet.
Portugezi do të jetë lojtari kryesor i trajnerit të ri të Zonjës së Vjetër, ndërsa kur CR7 u takua për herë të parë me mjeshtrin e mesfushës, ishte akoma yll në ngritje te Manchester Unitedi.
Takimi i tyre i parë ndodhi në sezonin 2004/2005 të Ligës së Kampionëve në Old Trafford, kur Milani i Pirlos fitoi me rezultat 1-0.
Në një prej situatave të ndeshjes, Ronaldo në përpjekje që t’ia merrte topin mesfushorit të atëhershëm të Rossonerëve ka rrëshqitur për ta bllokuar. Mirëpo, italiani me qetësi e ka tërhequr topin prapa, ndërkohë që portugezi shkoi huq.
Në total, Pirlo dhe Ronaldo janë përballur plot 12 herë në ndeshjet konkurruese – italiani i ka fituar gjashtë, tri i ka fituar portugezi, ndërsa tri herë janë ndarë baras. /Telegrafi/