Telegrafi

Kur Nasho Jorgaqi spiunonte mikun e tij, Skënder Luarasi

Shkrimtari Agron Tufa ka bërë publike dy raportime që Nasho Jorgaqi i bënte kolegut të vet Skënder Luarasi. Në njërën prej tyre, Jorgaqi u bënte të ditur organeve të Sigurimit “dobësimin e luftës së klasave” nga ana e Skënderit.

Sipas dokumentit, Luarasi ishte i mendimit që të përfshiheshin në veprën e Migjenit emrat e Selaudin Totos dhe Gjergj Kokoshit (të cilët ishin pushkatuar nga regjimi). “Selaudin Toto ka qenë njeri i mirë”, deklaron Luarasi, thënie që ndesh në kundërshtimin e bashkëfolësve dhe përfundon në zyrat e Sigurimit…

Hera tjetër që Jorgaqi spiunon bisedën me Luarasin i takon pesë muajve më vonë dhe tema e bisedës është ndihma që Shqipëria po merrte nga Bashkimi Sovjetik. Ishte maji i vitit 57. Luarasi i thotë në mirëbesim Jorgaqit që ndihmat nga Bashkimi Sovjetik janë shumë të mira, porse ne duhet të përpiqemi vetë të shfrytëzojmë pasuritë tona të tokës, nëntokës dhe detit. Ky konstatim i Luarasit gjykohet si armiqësor nga Nasho Jorgaqi dhe përfundon në zyrën e Sigurimit.

Nga ana e vet, përpunuesi i Nasho Jorgaqit, operativi Sigurimit i jep detyrë që të vazhdojë të takohet me Skënderin dhe ta mbajë nën kontroll sidomos për ndihmat e Bashkimit Sovjetik. “Ki mendjen Nasho se mund t’i thotë edhe në mënyrë ironike”, e porosit operativi.