Telegrafi

Kur Mogherini iu gëzua ratifikimit të demarkacionit dhe tha se Kosova është drejt liberalizmit të vizave

Ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, e cila ishte një nga kushtet e BE-së për viza, nuk ju gëzuan vetëm politikanët kosovarë që e votuan atë.

Gëzim “të madh” pati edhe në Bashkimin Evropian.

Votimin e kësaj marrëveshje e kishte mirëpritur edhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila në vazhdimësi u bënte thirrje spektrit politik kosovarë që të miratojnë këtë marrëveshje, ose përndryshe do ta “rrezikonin” liberalizimin e vizave.

“Lajm i mirë nga Prishtina, ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Kosova drejt liberalizimit të vizave për në BE për popullin e saj”, kishte shkruar Mogherini në Twitter, në ditën e ratifikimit të demarkacionit.

Pavarësisht, premtimeve të shumta nga zyrtarë të BE-së por edhe nga politikanët kosovarë, se me kalimin e demarkacionit, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtonin pa viza, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Madje gjasat janë që liberalizimi i vizave për Kosovën të shtyhet deri më 2020 në rast se BE-ja nuk e fut në agjendë të saj pas zgjedhjeve që do të mbahen në maj të këtij viti në Parlamentin Evropian.

Kujtojmë se më 21 mars 2018 deputetët e Kuvendit të Kosovës me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, arritën të miratonin marrëveshjen e nënshkruar më 2015-n, marrëveshje kjo e cila u kundërshtua fuqishëm nga opozita e atëhershme VV-AAK-NISMA. /Telegrafi/